Lufta ndaj krimit te organizuar
Moratoriumi antiskaf ka dhënë rezultate, duke e ndaluar plotësisht trafikun klandestin
Ndjekje penale për funksionarët që shkelin ligjin![]()
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Gjergj Lezhja, deklaroi dje se askush nga funksionarët e shtetit nuk mund të mbetet i imunizuar nga ndjekja penale. Sipas tij, lufta kundër korrupsionit ka qenë prioritet i qeverisë. “Lufta kundër korrupsionit ka qenë dhe mbetet prioritet i qeverisë. Kushdo e ka të qartë se askush nuk mund të mbetet i imunizuar nga ndjekja penale, pavarësisht funksionit që ai mban”, është shprehur ai. Një deklaratë të tillë, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave e ka bërë gjatë një seminari me temë “Zhvillimi i Strategjisë Kombëtare”, i organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe Qendra për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF). Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë përfaqësues të qeverisë, parlamentarë, studiues të fushës, etj. Lezhja nënvizoi se qeveria tregoi një vullnet të madh në luftën kundër këtyre fenomeneve. Sipas tij, vetëm në dy vjet janë goditur 140 grupe kriminale dhe persona. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave theksoi se një gjë e tillë është arritur edhe në sajë të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë. Ai theksoi se krimi i organizuar korrupsioni dhe rendi publik përbëjnë një nga sfidat më të mëdha të kësaj qeveria. “Në harkun kohor të dy viteve u arrestuan qindra persona në kërkim, u goditën mbi 140 grupe kriminale dhe persona deri atëherë të paprekshëm u vunë para drejtësisë, në sajë dhe të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë. Ndonëse lufta kundër krimit është një luftë e vazhdueshme, sot mund të thuhet pa frikë se në vend sundon ligji dhe shteti i së drejtës”, pohoi sekretari i Përgjithshëm, duke bërë të ditur se Shqipëria aspiron të jetë një faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon e më gjerë. Ndërsa theksoi se qeveria është kundër krijimit të krizave dhe konflikteve rajonale, si dhe kundër zgjidhjes së tyre me anë të forcës. “Vendi ynë ka kaluar një periudhë të trazuar në këto 17 vjet tranzicioni, duke kaluar nga një shoqëri totalitare në një shoqëri demokratike, me institucione të konsoliduara e një shtet të së drejtës, ku respektohen dhe garantohen të Drejtat dhe Liritë themelore të Njeriut”, është shprehur Lezhja. Më tej, ai deklaroi se Shqipëria ka dy vjet që është kthyer në një vend me institucione demokratike të zgjedhura në mënyrë të lirë e legjitime, duke u shndërruar nga një konsumuese në një prodhuese të sigurisë. “Qeveria shqiptare beson se integrimi në strukturat ndërkombëtare të sigurisë kolektive përbën mënyrën më të mirë të forcimit të sigurisë së vendit dhe ka për qëllim krijimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha ai duke treguar se qeveria ka marrë një sërë masash për forcimin e sigurisë kombëtare, që para ardhjes së saj në pushtet. Një vëmendje të veçantë, theksoi ai, qeveria po u kushton formave të sofistikuara të krimit, sidomos atij ekonomik, pastrimit të parave dhe formave të tjera të këtij krimi, që janë sfida e të ardhmes e autoriteteve të zbatimit të ligjit. Një tjetër përpjekje e qeverisë, theksoi Lezhja, është dhe kalimi i paligjshëm i kufirit, madje dhe përdorimi i territorit të Shqipërisë si tranzit për emigrantët ilegalë. “Moratoriumi 3-vjeçar antiskaf ka dhënë rezultatet e tij, duke e ndaluar këtë fenomen pothuajse plotësisht”, tha ai. Gjithashtu, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave tha se qeveria ka punuar në mënyrë intensive edhe për konsolidimin e institucioneve dhe instrumentave të sigurisë. Madje ai e konsideroi një gjë të tillë si arritje të qeverisë, pasi në këto dy vjet nuk ka patur asnjë akt terrorist. “Vitet e fundit nuk ka asnjë akt terrorist të kryer në Shqipëri. Ne jemi tepër aktivë në angazhimet tona, së bashku me koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit. Ushtarët tanë shërbejnë në Afganistan, Irak, etj., duke kontribuar për paqen”, vijoi ai. Përsa i takon integrimit euroatlantik, sipas tij, Shqipëria ka arritur suksese të dukshme. Ndërsa vlerësoi si arritje edhe reformimin e plotë të Forcave të Armatosura dhe arritjen e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. “FA janë vendosur nën kontroll të plotë demokratik dhe janë në rrugën e reformimit të plotë. Qeveria shqiptare pret që në Samitin e Bukureshtit të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO. Po ashtu, një vit më parë, qeveria nënshkroi MSA-në me BE-në dhe procesi i ratifikimit të kësaj marrëveshjeje me parlamentet e vendeve anëtare po ecën në mënyrë të kënaqshme”, përfundoi sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.
13 Mars 2008 at 2;50
Korrupsioni, përhapje të gjerë në Shqipëri
Komisioni Evropian, kritika Shqipërisë për korrupsionin, krimin e organizuar dhe mungesën e reformave
BRUKSEL- Shqipëria mbetet në të njëjtën “zonë gri”, në vlerësimin vjetor të Bashkimit Evropian. Korrupsioni, krimi i organizuar apo reformat e mbetura pezull në sistemin zgjedhor dhe atë të drejtësisë na lënë në të njëjtin pozicion të disfavorshëm në ’sytë” e BE-së, edhe pse ka kaluar një vit i tërë. Megjithëse raporti i Komisionit Evropian për Ballkanin do të bëhet zyrtarisht publik më 6 nëntor, “Balkan Insight” ka mundur të sigurojë dhe të publikojë raportin. Në raportin e këtij viti, Shqipëria vlerësohet si një vend që në vazhdimësi ka luajtur rol konstruktiv për stabilitetin në rajon, por nuk ka të njëjtën performancë pozitive për detyrimet që ka marrë përsipër të realizojë, gjatë rrugës drejt integrimit në BE. Komisioni Evropian e konsideruar klasën politike shqiptare si të papërmirësuar, për shkak të kulturës demokratike që dominon në vend. “Partitë politike kanë treguar mungesë vullneti për të bashkëpunuar në vazhdimin e reformave, veçanërisht në fushën elektorale dhe të drejtësisë”,-thuhet në raportin e këtij viti të Komisionit Evropian.
***
Gjithashtu theksohet se për reformën në drejtësi është bërë një progres fare i vogël gjatë vitit 2007, ndërkohë që sistemi i drejtësisë ka funksionuar në standarde të ulëta, për shkak të korrupsionit, mungesës së pavarësisë, transparencës dhe efiçencës. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sipas Komisionit Evropian ka qenë në fokus të lidershipit shqiptar, megjithatë, korrupsioni mbetet gjerësisht i përhapur në vend. Edhe në rastet kur policia ka pasur vullnetin t’i kundërpërgjigjet krimit, përpjekjet kundër krimit të organizuar mbeten të lëna në mes nga korrupsioni dhe një program i dobët i mbrojtjes së dëshmitarëve të drejtësisë. Raporti i Komisionit Evropian vëren gjithashtu se Tirana ka vazhduar të investigojë dhe çojë para akuzës të implikuarit në trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe kontrollet e kufirit janë forcuar. Gjithsesi, Shqipëria vazhdon të mbetet një vend i rëndësishëm tranziti për trafikun e njerëzve. Shoqëria civile përshkruhet po kaq e dobët sa edhe performanca e lidershipit politik shqiptar. Përfaqësuesit e saj nuk përfshihen mjaftueshëm në iniciativa vendimmarrëse, ndërkohë që shfaqin mungesë burimesh, kapacitetesh dhe aftësish në çështje të ndryshme.
***
Përsa i përket çështjeve të brendshme dhe detyrimeve ndërkombëtare, në raport thuhet se Shqipëria vazhdon të mbajë marrëdhënie të mira me vendet e tjera të Ballkanit dhe vendet fqinje të BE-së. Tirana është vlerësuar gjithashtu për qëndrimin konstruktiv në negociatat për çështjen e statusit të Kosovës. Një vlerësim pozitiv vjen nga BE për rritjen ekonomike. Komisioni Evropian vlerëson se është ruajtur stabiliteti makroekonomik, edhe pse borxhi i jashtëm është shtuar për shkak të krizës në sektorin energjetik. Edhe pse i është dhënë një notë pozitive rritjes në terma makroekonomikë, Komisioni Evropian thekson se ekonomia e tregut në Shqipëri ende nuk funksionon qetësisht.
__________________