Lufta ndaj krimit te organizuar

Mar13

Moratoriumi antiskaf ka dhënë rezultate, duke e ndaluar plotësisht trafikun klandestin

Ndjekje penale për funksionarët që shkelin ligjin

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Gjergj Lezhja, deklaroi dje se askush nga funksionarët e shtetit nuk mund të mbetet i imunizuar nga ndjekja penale. Sipas tij, lufta kundër korrupsionit ka qenë prioritet i qeverisë. “Lufta kundër korrupsionit ka qenë dhe mbetet prioritet i qeverisë. Kushdo e ka të qartë se askush nuk mund të mbetet i imunizuar nga ndjekja penale, pavarësisht funksionit që ai mban”, është shprehur ai. Një deklaratë të tillë, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave e ka bërë gjatë një seminari me temë “Zhvillimi i Strategjisë Kombëtare”, i organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe Qendra për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF). Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë përfaqësues të qeverisë, parlamentarë, studiues të fushës, etj. Lezhja nënvizoi se qeveria tregoi një vullnet të madh në luftën kundër këtyre fenomeneve. Sipas tij, vetëm në dy vjet janë goditur 140 grupe kriminale dhe persona. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave theksoi se një gjë e tillë është arritur edhe në sajë të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë. Ai theksoi se krimi i organizuar korrupsioni dhe rendi publik përbëjnë një nga sfidat më të mëdha të kësaj qeveria. “Në harkun kohor të dy viteve u arrestuan qindra persona në kërkim, u goditën mbi 140 grupe kriminale dhe persona deri atëherë të paprekshëm u vunë para drejtësisë, në sajë dhe të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë. Ndonëse lufta kundër krimit është një luftë e vazhdueshme, sot mund të thuhet pa frikë se në vend sundon ligji dhe shteti i së drejtës”, pohoi sekretari i Përgjithshëm, duke bërë të ditur se Shqipëria aspiron të jetë një faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon e më gjerë. Ndërsa theksoi se qeveria është kundër krijimit të krizave dhe konflikteve rajonale, si dhe kundër zgjidhjes së tyre me anë të forcës. “Vendi ynë ka kaluar një periudhë të trazuar në këto 17 vjet tranzicioni, duke kaluar nga një shoqëri totalitare në një shoqëri demokratike, me institucione të konsoliduara e një shtet të së drejtës, ku respektohen dhe garantohen të Drejtat dhe Liritë themelore të Njeriut”, është shprehur Lezhja. Më tej, ai deklaroi se Shqipëria ka dy vjet që është kthyer në një vend me institucione demokratike të zgjedhura në mënyrë të lirë e legjitime, duke u shndërruar nga një konsumuese në një prodhuese të sigurisë. “Qeveria shqiptare beson se integrimi në strukturat ndërkombëtare të sigurisë kolektive përbën mënyrën më të mirë të forcimit të sigurisë së vendit dhe ka për qëllim krijimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha ai duke treguar se qeveria ka marrë një sërë masash për forcimin e sigurisë kombëtare, që para ardhjes së saj në pushtet. Një vëmendje të veçantë, theksoi ai, qeveria po u kushton formave të sofistikuara të krimit, sidomos atij ekonomik, pastrimit të parave dhe formave të tjera të këtij krimi, që janë sfida e të ardhmes e autoriteteve të zbatimit të ligjit. Një tjetër përpjekje e qeverisë, theksoi Lezhja, është dhe kalimi i paligjshëm i kufirit, madje dhe përdorimi i territorit të Shqipërisë si tranzit për emigrantët ilegalë. “Moratoriumi 3-vjeçar antiskaf ka dhënë rezultatet e tij, duke e ndaluar këtë fenomen pothuajse plotësisht”, tha ai. Gjithashtu, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave tha se qeveria ka punuar në mënyrë intensive edhe për konsolidimin e institucioneve dhe instrumentave të sigurisë. Madje ai e konsideroi një gjë të tillë si arritje të qeverisë, pasi në këto dy vjet nuk ka patur asnjë akt terrorist. “Vitet e fundit nuk ka asnjë akt terrorist të kryer në Shqipëri. Ne jemi tepër aktivë në angazhimet tona, së bashku me koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit. Ushtarët tanë shërbejnë në Afganistan, Irak, etj., duke kontribuar për paqen”, vijoi ai. Përsa i takon integrimit euroatlantik, sipas tij, Shqipëria ka arritur suksese të dukshme. Ndërsa vlerësoi si arritje edhe reformimin e plotë të Forcave të Armatosura dhe arritjen e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. “FA janë vendosur nën kontroll të plotë demokratik dhe janë në rrugën e reformimit të plotë. Qeveria shqiptare pret që në Samitin e Bukureshtit të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO. Po ashtu, një vit më parë, qeveria nënshkroi MSA-në me BE-në dhe procesi i ratifikimit të kësaj marrëveshjeje me parlamentet e vendeve anëtare po ecën në mënyrë të kënaqshme”, përfundoi sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.

Detajet e postimit
Dërguar më: 13 Mars 2008
Nga oliver
Arkivuar nën: 1


Kategoritë

Postimet e Shkuara

1 koment

Lufta ndaj krimit te organizuar

Dërguar më: 13 Mars 2008 në 1
1 koment

Problematika shqiptare

Dërguar më: 13 Mars 2008 në 1
1 koment

Kushtetuesja, ja arsyet që rrëzuan ish-pronarët

Dërguar më: 13 Mars 2008 në 1
3 komente

BASHKIA DURRES DEPARTAMENTI I URBANISTIKES KERKESAT PER LEJE NDERTIMI.

Dërguar më: 13 Mars 2008 në 1
asnjë koment

BASHKIA DURRES

Dërguar më: 13 Mars 2008 në 1
asnjë koment

PARA KOMBIT DHE KOMBESISE VE NJERIUN.

Dërguar më: 8 Mars 2008 në Pa kategori